STATUTI I SHOQATËS

Ky statut do të qeverisë shoqatën jofitimprurëse “Shoqata e Stomatologëve të Republikës së Kosovës, të themeluar në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës.

 

 

 

  1. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1

Me Statutin e Shoqatës së Stomatologëve të Republikës së Kosovës (në tekstin që vijon-Shoqata) përcaktohen këto dispozita: emri i shoqatës dhe selia e saj, veprimtaria, forma e organizimit, qëllimet dhe detyrat, të drejtat dhe obligimet, përgjegjësitë, anëtarësimi, financimi, posedimi dhe shfrytëzimi i mjeteve financiare dhe materiale, prezantimi dhe përfaqësimi, bashkëpunimi me shoqatat tjera profesionale në vend dhe në botë dhe ndërprerja e punës së shoqatës.

 

 

  1. FORMA E ORGANIZIMIT

Neni 2

Shoqata është e organizuar në mënyrë vetanake dhe profesionale. Nëpërmjet organizimit realizon qëllimet, detyrat, obligimet dhe të drejtat që dalin nga ligjet që e rregullojnë këtë veprimtari profesionale.

 

Neni 3

Kjo shoqatë si organizim i pavarur dhe profesional i stomatologëve kosovar është formuar me qëllim që t’i mbroj të drejtat e stafit të vetë, anëtarësisë së vetë, të mbroj vlerat etike dhe profesionale, të bëj përmirësimin e shërbimeve stomatologjike në interes të pacientit.

 

 

  • EMRI DHE SELIA E SHOQATËS

 

Neni 4

Shoqata quhet “Shoqata e Stomatologëve të Republikës së Kosovës”. Shkurtesa e emrit është SHSRK dhe emërtimi i Shoqatës në gjuhën angleze është: Dental Association of Republic of Kosovo. Shkurtesa e emrit është DARK.

 

Neni 5

Shoqata  ka logon (simboli) e vet në të cilën shihet harta e Kosovës me një dhëmb në mes. Përreth hartës gjindet emërtimi i shoqatës në gjuhën shqipe dhe angleze. Shoqata e ka edhe vulën e vet.

 

Neni 6

Selia e Shoqatës është në Prishtinë. Adresa: Qendra Klinike Stomatologjike  Universitare e Kosovës,  Rrethi i Spitalit p.n., 10000 Prishtinë, Kosovë. Selia mund të ndërrohet me vendimin e Kuvendit të shoqatës (në tekstin që vijon-Kuvendi).

 

Neni 7

Shoqata është e regjistruar në regjistrin e Ministrisë së Administratës Publike-Departamenti për OJQ në Prishtinë (certifikata e Regjistrimit Nr.5000580-3 të dates 02/12/01).

 

Neni 8

  • Shoqata është shoqatë jofitimprurëse, sipas definimit të dhënë në nenin 5.2 dhe 6 të Ligjit Nr. 04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës.

 

  • Shoqata nuk do të bëjë shpërndarjen e çfarëdo të ardhure neto ose fitimi si të tillë për asnjë person. Pasuria, të ardhurat dhe fitimet e organizatës do të përdoren për të mbështetur qëllimet jofitimprurëse të shoqatës dhe nuk do të përdoren për të krijuar përfitime të veçanta individuale, qoftë në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo tërthorazi për asnjërin nga themeluesit, kryetarin, sekretarin e përgjithshëm, zyrtarin për financa apo, ndonjë anëtar tjetër të shoqatës, ndonjë të punësuar apo donator të OJQ-së. Megjithatë pagesa e kompensimit të arsyeshëm për këta persona mund të bëhet për punën që këta persona bëjnë për shoqatën.

 

  • Çdo transaksion ndërmjet OJQ-së dhe një organizate tjetër të ndërlidhur, apo ndërmjet OJQ-së dhe anëtarëve, zyrtarëve, anëtarëve të bordit ose punonjësve të saj ndalohet, përveç, nëse organi drejtues vendos, pas hetimeve të arsyeshme, se transaksioni është në interes, i drejtë dhe i arsyeshëm për OJQ-në, dhe se OJQ-ja nuk kishte mundur të sigurojë marrëveshje më të favorshme me përpjekje të arsyeshme dhe brenda rrethanave ekzistuese.

 

  • Shoqata mund të angazhohet në aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja jofitimprurëse, në pajtim me paragrafin 1.4 të këtij Statuti dhe nenin 4 të Ligjit për Lirim të Asociimit në OJQ 04/L-57, me kusht që të ardhurat e realizuara nëpërmjet të aktiviteteve ekonomike të shfrytëzohen ekskluzivisht për të arritur qëllimet e theksuara në këtë statut.

 

Neni 9

Shoqata e ka xhirollogarinë e vetë pranë NLB Banka filiali në Prishtinë, numrin fiskal, web site-n dhe e-mail-in.

 

 

Neni 10

Shoqata e ka statusin e personit juridik me të drejta, obligime dhe përgjegjësi, të cilat dalin nga statuti dhe  ligjet.

 

Neni 11

Shoqatën e përfaqëson dhe prezanton kryetari i shoqatës (në tekstin që vijon-Kryetari). Në mungesë të kryetarit, shoqatën e përfaqëson dhe e prezanton zv/kryetari  apo sekretari i përgjithshëm me autorizim të posaçëm nga kryetari.

           

 

 

  1. QËLLIMET DHE DETYRAT E SHOQATËS

 

 

Neni 12
Shoqata në mënyrë aktive nëpërmjet organeve të veta mbron interesin e anëtarëve të vetë, etikën dhe moralin në shëndetësi në funksion të profesionalizmit dhe shkencës. Shoqata ka për obligim t’i përcjell dukuritë e ndryshme në legjislativën shtetëror në sferën e stomatologjisë dhe të reagoj në mënyrë adekuate ndaj fenomeneve të ndryshme.

Neni 13
Shoqata e ka për detyrë të organizojë në mënyrë të vazhdueshme aktivitete profesionale dhe shkencore me ligjërata të ndryshme në nivel të degëve, kongrese, takime profesionale, akademi solemne dhe vizita shkencore në nivele të ndryshme, krejt kjo në funksion të ngritjes profesionale dhe shkencore.

Neni 14

Shoqata ka për detyrë të studiojë dhe t’i hulumtojë problemet shëndetësore nga lëmia e patologjisë orale. Të organizojë këshillime nëpërmes degëve me qëllim të mbrojtjes dhe përparimit të shëndetit oral të popullatës së Kosovës.

           

Neni 15

Shoqata zhvillon bashkëpunim me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve stomatologjike dhe të nivelit profesional shkencor. Ndihmon në pjesëmarrjen e anëtarëve të shoqatës në projekte të përbashkëta multicentrike dhe multinacionale.

 

Neni 16

  • Shoqata mund të aplikon për grante të ndryshme, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e anëtarëve të ndryshëm në projekte të caktuara, sigurimin e fondeve përkatëse dhe arritjen e eksperiencave të mundshme.

 

  • Shoqata mund të marr donacione nga individë, organizata apo institucione publike, kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllime bamirësie, mbështetje për projekte dhe për strukturën e shoqatës.

Neni 17

Shoqata bashkëpunon me shoqatat tjera profesionale në Kosovë dhe në vendet tjera. Bashkëpunon me Odën e Stomatologëve të Kosovës dhe me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës.

 

Neni 18

Shoqata harton plane afatshkurtëra dhe afatgjate për nevojat e kujdesit parësor të  stomatologjisë në Kosovë.

 

 

  1. ANËTARËSIMI

 

 

Neni 19

Anëtarësimi në shoqatë është i hapur për çdo person pavarësisht prej racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. Për t’u anëtarësuar në shoqatë, secili i interesuar duhet të pranojë Statutin dhe Misionin e shoqatës dhe të angazhohet për përmbushjen e qëllimeve të shoqatës.

 

 Neni 20

Kuvendi do të vendos nëse do të kërkohet pagesa e anëtarësimit nga anëtarët. Në rast të vendosjes së pagesës së anëtarësimit, Kuvendi do të vendosë për rregullat dhe procedurat e pagesës së anëtarësimit, përfshirë marrjen e masave të ndryshme deri në përjashtimin e anëtarit nga organizata në rast të mospagesës së anëtarësisë.

 

Neni 21

Anëtar nderi i shoqatës mund të jetë çdo anëtar, i cili me punën e vet ka dhënë kontribut të posaçëm në zhvillimin e shkencave stomatologjike dhe të shoqatës.
Anëtarët e nderit i verifikon Kuvendi.

    

 Neni 22

Anëtarësimi i ndonjë anëtari mund të përfundojë ose suspendohet me vendimin e Kuvendit të shoqatës në rast të:

  1. Të vdekjes së anëtarit;
  2. Me dorëheqje të anëtarit;
  3. Me përjashtim sipas vendimit të Gjyqit të nderit;
  4. Nëse për dy vite me radhë nuk i realizon obligimet ndaj shoqatës;
  5. Nëse anëtari ka bërë vepra penale me të cilat rrezikohet autoriteti i shoqatës;
  6. Me shuarjen e shoqatës.

 

 

 

  1. ORGANET E SHOQATËS

 

 

Neni 23

Kuvendi

 

  • Kuvendi është organi më i lartë qeverisës dhe ka përgjegjësinë më të lartë për politikën dhe çështjet financiare të shoqatës.

 

  • Kuvendi gjithashtu ka këto përgjegjësi:
  1. miraton statutin dhe ndryshimet statusore të shoqatës, programin dhe aktet tjera,
  2. nxjerr rregullore, vendime dhe akte tjera normative,
  3. miraton raportin vjetor për punën dhe raportin financiar,
  4. vendosë për ndryshimin e qëllimit të shoqatës,
  5. vendosë për organizimin e brendshëm dhe format organizative të organeve të shoqatës,
  6. zgjedh dhe shkarkon anëtarët e organeve,
  7. vendosë për shuarjen e shoqatës me shumicën e dy të tretave të votave nga të gjithë anëtarët e shoqatës,
  8. përcakton lartësinë e pagesës për anëtarësi në shoqatë,
  9. kryen edhe punë tjera në pajtim me statutin dhe aktet e shoqatës.

 

  • Kuvendi përbëhet nga anëtarët me delegim nga degët e shoqatës edhe atë me këtë kriter:

 

  1. Dega e Prishtinës (Fushë Kosovë, Podujevë, Obiliq, Lipjan, Gllogovc)- 7 anëtarë
  2. Dega e Gjilanit (Kamenicë, Viti, Novobërdë)- 4 anëtarë
  3. Dega e Ferizajit (Kaçanik, Han Elezi, Shtërpce, Shtime) -5 anëtarë
  4. Dega e Prizrenit (Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash) -5 anëtarë
  5. Dega e Pejës (Klinë, Istog, Deçan) -4 anëtarë
  6. Dega e Mitrovicës (Vushtrri, Skenderaj) -3 anëtarë
  7. Dega e Gjakovës (Junik)-2 anëtarë
  8. Kryetari, zëvendës kryetari dhe sekretari i përgjitshëm janë anëtarë të Kuvendit  sipas detyrës zyrtare.

 

  • Kuvendi konstituohet me thirrjen e mbledhjes konstitutive të thirrur nga kryetari, mandati i të cilit skadon dhe në mbledhjen konstitutive, Kuvendi zgjedh kryetarin e ri bashkë me sekretarin e përgjithshëm dhe zyrtarin për financa.

 

  • Mandati i Kuvendit është 4 vjet.

 

  • Kuvendi do të takohet së paku një herë në vit në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore (MPV) ku shqyrtohet dhe miratohet raporti për mjetet, detyrimet, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e shoqatës për vitin e kaluar, si dhe plani për mjetet, e detyrimet e parapara, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e shoqatës për vitin e ardhshëm.

 

  • Kuvendi mund të takohet gjithashtu edhe në Mbledhjen e Përgjithshme të Jashtëzakonshme (MPJ) kurdoherë që kërkohet nga (p.sh. gjysma e anëtarëve të Kuvendit) ose nga Këshilli Drejtues. Një kërkesë e tillë duhet t’i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm, i cili do të lajmërojë për takimin të gjithë anëtarët, në pajtim me procedurat e përcaktuara në paragrafin vijues.

 

  • Kuvendi mbahet nëse janë prezent më shumë se gjysma e anëtarëve, nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të kuvendit.

 

  • Mbledhjen e Kuvendit e udhëheq kryetari.

 

  • Lajmërimi me shkrim për MPV dhe/ose MPJ, duke përfshirë datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes, së bashku me rendin e ditës për mbledhjen do t’u shpërndahet të gjithë anëtarëve së paku shtatë ditë para ditës së mbajtjes së mbledhjes.

 

  • Secili anëtar në Kuvend  ka një votë.

 

  • Vendimet në Kuvend do të merren me shumicën e anëtarëve prezent.

 

  • Votimi bëhet i hapur, me ngritje dore, ose me vota të fshehta. Se si do të bëhet votimi, Kuvendi vendos në mbledhjen përkatëse, nëse me Statut nuk është paraparë ndryshe.

 

  • Votimi bëhet: “për”, “kundër” dhe “abstenim”.

 

 

Neni 24

Këshilli Drejtues

  • Bazuar në përgjegjësitë e dhëna me këtë statut, Këshilli Drejtues duhet të veprojë çdo herë në pajtim me qëllimet e shoqatës.

 

  • Këshilli Drejtues përbëhet nga kryesuesit e degëve të shoqatës (7).

 

  • Kryetari, zëvendës kryetari dhe sekretari i përgjitshëm janë anëtarë të këshillit drejtues sipas detyrës zyrtare.

 

  • Sekretari i përgjithshëm nuk ka të drejtë vote, por ka të drejtë për të propozuar pika në rendin e ditës dhe dokumentet mbështetëse të tyre.

 

  • Kryesuesi i Këshillit Drejtues zgjedhet me shumicën e votave nga radhët e kryesuesve të degëve të shoqatës.

 

  • Këshilli Drejtues ka këto kompetenca:

 

  1. Zbaton vendimet dhe udhëzimet e Kuvendit;
  2. Së bashku me kryetarin përgatit mbledhjet e Kuvendit dhe e propozon rendin e ditës,
  3. Miraton llogarinë përfundimtare të afarizmit financiar të shoqatës;
  4. Formon komisione të përhershme dhe të përkohshme,
  5. E lidh shoqatën me ndonjë shoqatë simotër në vend apo jashtë vendit,
  6. Vendosë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vet në tubime profesionale të organizuara në Kosovë dhe në botë,
  7. Mund të emërojë ndonjë nëpunës tjetër për kryerjen e detyrave të ndryshme në shoqatë. Kohëzgjatja për kryerjen e detyrave të ndryshme caktohet nga Këshilli Drejtues, i cili duhet ta informojë Kuvendin e shoqatës lidhur me këtë,
  8. Këtyre nëpunësve u dorëzohet marrëveshja me shkrim, në të cilën janë të cekura të gjitha kushtet siç janë: të ardhurat, orari i punës, shpërblimet dhe sanksionet. Të gjitha pagesat duhet të jenë në kufijtë e arsyeshëm dhe duhet të paguhen vetëm për punën e kryer në shoqatë.

 

  • Këshilli Drejtues zgjedhet nga Kuvendi. Ata zgjedhen individualisht me shumicë të votave nga anëtarët e pranishëm.

 

  • Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej gjashtë anëtarëve.

 

  • Mandati i Këshillit Drejtues është 4 vjet.

 

  • Anëtarët e Këshillit Drejtues mund të shkarkohen para përfundimit të mandatit me shumicë votash të Kuvendit të shoqatës.

 

  • Mandati i anëtarit të Këshillit Drejtues pushon:

Në rast të vdekjes,

dorëheqjes, ose

Shkarkimit.

 

  • Në rast të përfundimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të Këshillit Drejtues, Kuvendi  duhet të zgjedhë pasardhësin për të shërbyer për kohën e mbetur/me mandat të ri.

 

  • Vendimet në Këshillin Drejtues merren me shumicë votash të anëtarëve prezentë.

 

  • Këshilli Drejtues mund të vendosë t’i drejtohet për çfarëdo çështje Kuvendit për marrje të vendimit.

 

Neni 25

Kryetari

 

  • Kryetari është autoriteti kryesor menaxhues i shoqatës dhe përgjegjës për punën efektive dhe të rregullt sipas politikës së përcaktuar nga Kuvendi.

 

  • Kryetarin e zgjedh Kuvendi me propozim nga anëtarët e tij. Kryetari zgjidhet me shumicën absolute (shumicën e anëtarëve të përgjithshëm) në pajtim me dispozitat e këtij Statuti.

 

  • Mandati i kryetarit është 4 vjet me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

 

  • Kryetari ka gjithë autoritetin e nevojshëm për ushtrimin e këtyre detyrave:

 

  1. Të përfaqësojë dhe prezentojë shoqatën në vend dhe në botë,
  2. Të zbatojë dispozitat e parapara me statut dhe realizimin e vendimeve të organeve të shoqatës,
  3. Të ftojë dhe udhëheqë seancat e kuvendit,
  4. Të ekzekutojë aktet dhe vendimet e kuvendit,
  5. Të propozojë rregullore apo akte të tjera për miratim në kuvend,
  6. Të menaxhojë mjetet nga të hyrat vetanake, aktivitetet dhe projektet profesionale e shkencore apo nga donacionet,
  7. Të prezantojë raportin vjetor për gjendjen financiare të shoqatës, së paku njëherë në vit apo kurdoherë që kërkohet nga kuvendi,

 

  • Për punën e vet i përgjigjet Kuvendit.

 

  • Kryetari e emëron zëvendës kryetarin.

 

  • Mandati i kryetarit mund të përfundojë para kohe në rast të:

 

  1. Dorëheqjes;
  2. Shkarkimit nga detyra;
  3. Arsyes shëndetësore;
  4. Dënimit për vepër penale;
  5. Pensionimit;
  6. Vdekjes

 

  • Procedurat për shkarkimin e kryetarit mund të iniciohen me shumicën absolute të votave nga Kuvendi. Procedura për shkarkimin e kryetarit përcaktohet me rregulloret e nxjerra nga Këshilli Drejtues, e miratuar nga Kuvendi.

 

  • Vendimi i Kuvendit për shkarkim është valid me shumicën e kualifikuar të 2/3 të votave të anëtarëve.

 

Neni 26

 Sekretari i përgjithshëm

 

  • Sekretari i përgjithshëm i udhëheqë të gjitha punët administrative të shoqatës në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të kryetarit, apo zëvendëskryetarit.

 

  • Sekretari i përgjithshëm ka për detyrë t’i zbatojë vendimet dhe aktet tjera të Kuvendit dhe të Këshillit Drejtues.

 

  • Organizon dhe koordinon punën profesionale të shoqatës.

 

  • Mbikëqyrë zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të punës së shoqatës.

 

  • Është përgjegjës për mirëmbajtjen e protokollit dhe arkivave të shoqatës.

 

  • Njofton të gjithë anëtarët e Këshillit Drjetues dhe të Kuvendit për vendin dhe datën kur do të jetë mbledhja, duke e caktuar edhe rendin e ditës bashkë me kryetarin.

 

  • Mban dhe nënshkruan së bashku me kryetarin procesverbalet e mbledhjeve.

 

  • Sekretarin e përgjithshëm e zgjedh Kuvendi me propozim të kryetarit me mandat 4 vjeçar me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

 

 

Neni 27

Këshilli Mbikqyrës

 

  • Këshilli Mbikqyrës përbëhet prej tre anëtarëve të zgjedhur në Kuvend.

.

  • Këshilli Mbikqyrës e kontrollon dhe e mbikqyrë punën e afarizmit financiar të shoqatës së paku një herë në vit.

 

  • Këshilli i paraqet raport Kuvendit lidhur me punën financiare dhe administrative të shoqatës.

 

  • Mandati i Këshillit Mbikqyrës është 4 vjet.

 

Neni 28

Degët e shoqatës

 

  • Degët e shoqatës janë njësi organizative të shoqatës.

 

  • Degët e shoqatës janë:

 

  • Dega e Prishtinës (Fushë Kosovë, Podujevë, Obiliq, Lipjan, Gllogovc)
  • Dega e Gjilanit (Kamenicë, Viti, Novobërdë)
  • Dega e Ferizajit (Kaçanik, Elez Han, Shtërpce, Shtime)
  • Dega e Prizrenit (Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash)
  • Dega e Pejës (Klinë, Istog, Deçan)
  • Dega e Mitrovicës Vushtrri, Skenderaj)
  • Dega e Gjakovës (Junik)

 

  • Dega numëron prej 6 deri në 8 anëtarë, kurse në degët më të mëdha deri në 12 anëtarë.

 

  • Dega i kryen detyrat e shoqatës në lokalitetin ku ekziston, përveç punës së caktuar për organet e shoqatës.

 

  • Kryetari i emëron kryesuesit e degës.

 

  • Mandati i kryesuesit të degës është 4 vjet me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

 

  • Një herë në vit dega e harton raportin e punës të cilin ia dorëzon kryetarit.

 

 

Neni 29

Revista e shoqatës

 

29.1 Shoqata  e boton revistën profesionale dhe shkencore. Revista quhet “Revista stomatologjike e Kosovës”. Në gjuhën angleze quhet: “The Dental Journal of Kosova”.

 

  • Këshilli redaktues përbëhet nga nëntë anëtarë të cilët i zgjedh Kuvendi.

 

  • Këshilli redaktues e nxjerr regulloren dhe programin e vet të punës të cilin e miraton Kuvendi.

 

  • Këshilli redaktues e zgjedh kryeredaktorin, sekretarin, përgjegjësin për marketing.

 

  • Mandati i Këshillit Redaktues është 4 vite me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

 

Neni 30

Çmimet dhe mirënjohjet e shoqatës

  • Ndarja e çmimeve:

 

  • Çmimi për Vepër Jetësore
  • Çmimi për Anëtar të Shquar të Shoqat`ës së Stomatologëve të Kosovës
  • Çmimi për Stomatolog të Ri të Shquar

 

  • Ndarja e mirënjohjeve:

 

  • Mirënjohje për Mbështetje të Shoqatës së Somatologëve të Kosovës – institucioneve, organizatave dhe individëve.
    • Çmimet dhe mirënjohjet ndahen sipas Rregullores për Ndarje të Çmimeve dhe Mirënjohjeve.

 

Neni 31

Masat disciplinore

Në rast të shkeljes së Kodit etik dhe të Deontologjisë mjekësore nga ana e profesionalistëve shëndetësorë, shoqata mund t’i denoncoj pranë organeve kompetente të Odës së Stomatologëve: Këshilli Etik, Gjyqi i Nderit dhe Prokurori.

 

Neni 32

Mjetet e shoqatës

  • Shoqata realizon të hyra vetanake nga:

 

  1. Anëtarësia,
  2. Donacionet,
  3. Organizimi i aktiviteteve profesionale dhe shkencore,
  4. Projektet e fituara nga institucionet publike apo private, kombëtare apo të huaja.

Neni 33

Manipulimi me mjetet e shoqatës  

 

  • Në bankën përkatëse hapet xhiro-llogaria e posaçme ku deponohen nënshkrimi i kryetarit dhe i zyrtarit financiar.

 

  • Të hyrat dhe të dalat raportohen në llogaritë periodike dhe vjetore.

 

Neni 34

Zyrtari për financa

 

  • Zyrtari për financa i kryen punët rreth afarizmit financiar të shoqatës. Ai është i obliguar që të njoftojë Kuvendin, Këshillin Drejtues dhe Këshillin Mbikqyrës për punën financiare.

 

  • Zyrtari për financa e zgjedh Kuvendi me propozim të kryetarit me mandat 4 vjeçar me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

 

Neni 35

Me qëllim të vendosjes të një efikasiteti më të madh, një disipline më të madhe buxhetore dhe fiskale si dhe respektimin e rregullave lidhur me shfrytëzimin e drejtë të mjeteve, në pajtim me ligjet në fuqi bëhet auditimi i  brendshëm.

 

 

 

 

Neni 36

Periudhat e Raportimit dhe Viti Financiar

 

  • Këshilli Drejtues dhe Zyrtarët e emëruar do të paraqesin raporte vjetore para Kuvendit, MPV ose kurdoherë që kërkohet nga një MPJ.

 

  • Viti financiar i shoqatës do të përputhet me vitin kalendarik.

 

Neni 37

 Shpërbërja e shoqatës

  • Shoqata mund të shpërbëhet me vendimin e shumicës së dy të tretave të votave nga të gjithë anëtarët e shoqatës.

 

  • Kur të vendoset për shpërbërjen e shoqatës, Kuvendi do të tregojë emrin e shoqatës ose fondacionit në Kosovë që do të marrë pasurinë e mbetur pasi të jenë paguar borxhet e shoqatës. Shoqata(t) ose fondacioni(et) e zgjedhura duhet të kenë qëllime të njëjta, ose të ngjajshme sikurse me shoqatën.

 

Neni 38 

Gjithçka që nuk është e parashikuar apo rregulluar nga ky Statut, do të rregullohet në bazë të ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

 

Neni 39

Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare

 Me hyrjen në fuqi të këtij Statuti, ç’fuqizohet Statuti paraprak i dt 01.11.2000

 

 

Ky statut është aprovuar nga Kuvendi i shoqatës në Prishtinë me datën 12.09.2017.

 

 

 

 

 

 

 

 

Prishtinë,                                             ___________________________________

         15.09.2017                                       Nënshkruar nga Përfaqësuesi i Autorizuar i Shoqatës

                                                                  Prof.Dr. Blerim Kamberi

 

Cart

No products in the cart.

Wishlist 0
Open wishlist page Continue shopping